Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Shtyhet për të hënën votimi në Parlament i dekretit të presidenti, për ndryshimet në kabinetin qeveritar. I është lënë gjithçka seancës së ardhshme plenare, për faktin se rregullorja parashikon votim të dekreteve në seancë, vetëm pas miratimit të tyre në byronë parlamentare.

Ndërkaq ende ekzistojnë paqartësi lidhur me raportin e votave pro e kundër ndryshimeve në qeveri. Njëra prej tyre është ajo e PBDNJ.

Vangjel Dule:- “Kemi ende mjaft kohë, për të dalë në vendimin përfundimtar. Ishte një frymëmarrje e vonesa që u dha dekreteve Presidenti i Republikës, për të pasur një reflektim të ri dhe një ripozicionim mbi zhvillimet politike”.

Ndërsa aleati Paskal Milo, nuk heziton të shpreh votën e tij pro ndryshimeve.

Paskal Milo:- “Nuk është ndoshta zgjidhja më e përsosur, në kushtet e mosmarrëveshjeve të thella që ka brenda PS, por është një zgjidhje dhe njerëzit nuk duhet paragjykuar, ata duhen parë në punë e sipër dhe pastaj do të japim edhe vlerësimet tona, për profesionalizmin e tyre dhe për cilësinë e punës së tyre”.

Socialistët janë shprehur për TV Klan, se të hënën nuk presin të papritura në votimin e kabinetit të ndryshuar me dy anëtarë të kryeministrit Nano.

Erion Braçe:- “Pro, ka një vendim politik të kryesisë socialiste, ka një vendim politik të grupit në parim, që do të detajohet”.

Lekë Çukaj:- “Në PS kemi numrat e nevojshëm dhe mazhorancën e nevojshme për të kaluar çdo qeveri”.

Megjithatë gjithçka do të vendoset në seancën e ditës së hënë./tvklan.al