Lajmi për ndarjen nga jeta të shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare është pasqyruar gjerësisht në mediat prestigjioze nëpër botë.
Prestigjiozja “Nju Jork Tajms” e cilëson Kadarenë si njeriun që me novelat e tij i tregoi botës gjendjen e vështirë, me të cilën përballej Shqipëria gjatë regjimit komunist.
“Novelisti dhe poeti shqiptar e gdhendi atdheun e tij të izoluar në Ballkan në hartën e letërsisë botërore, duke krijuar shpesh vepra të errëta dhe alegorike që tërthorazi kritikonin regjimin totatitar të atij vendi” – komenton “Nju Jork Tajms”.
E përditshmja prestigjioze franceze “Le Monde” e vendos atë në të njejtin piedestal me ikona të letërsisë botërore si Xhorxh Oruell e Franc Kafka. “Le Monde” shkruan se Kadare u propozua shpesh për të fituar çmimin “Nobel” për veprat e tij që gërmonin thellë në mitet dhe historinë e vendit për të zbërthyer mekanizmat e totalitarizmit.
“Në stilin e tij të sofistikuar të rrëfimit të ngjarjeve, Kadare përdorte metaforën dhe ironinë për të nxjerrë në pah natyrën e tiranisë së Enver Hoxhës që sundoi në Shqipëri nga 1945 deri në vdekje në 1985-ën” – vijon më tej shkrimi i prestigjozes franceze.
“Ai përdori metaforën dhe sarkazmën e heshtur për të rrëfyer për fatin grotesk të vendit dhe popullit të tij, nën diktatorin paranojak Enver Hoxha” – shkruan “France24”.
Lajmi është pasqyruar edhe nga agjenci të tjera ndërkombëtare si “Reuters”, “ANSA” e “The Guardian”.
Tv Klan