Zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, deklaroi këtë të mërkurë se të parët që do të vaksinohen nga Covid, do të jetë personeli shëndetësor që punon në spitalet Covid.
Ajo theksoi gjatë konferencës së përjavshme të Komitetit të Ekspertëve se kemi kushtet e përshtatshme për të ruajtur vaksinat Pfizer.
“Vaksinimi do të fillojë brenda muajit Janar. Natyrisht që do të jenë mjekët, i gjithë personeli shëndetësor. Fillohet me personelin shëndetësor në katër spitalet Covid, pastaj në urgjencat dhe reanimacionet. I kemi të gjitha të studiuara dhe të plota, kapacitetet për ruajtjen e vaksinës. Qoftë vaksina që është e Pfizer që kërkon kushtet minus 70-75. Njëkohësisht kemi një listë të plotë të të gjithë personelit shëndetësor jo vetëm që punon në spitalet Covid, por në të gjithë vendin. Është një proces i mirëmenduar. Beteja e COVID nuk është vetëm betejë e shëndetësisë, është një betejë e të gjithëve. Duhet të jemi të gjithë të përfshirë në këtë betejë. Procesi i vaksinimit është një proces që nuk mund të bëhet njëkohësisht në të gjithë vendet e botës. Do të fillojë me personelin shëndetësor”, deklaroi Rakacolli./tvklan.al