Shumë i injorojnë udhëzimet që ndodhen në etiketën e rrobave dhe i lajnë në lavatriçe pa u kujdesur aspak për faktin se ndoshta temperatura dhe detergjenti që po përdorin, nuk është i duhuri. Kjo bën që shumë veshje ta humbasin ngjyrën e shkëlqimin para kohe. Megjithatë, për ata që duan të jenë të kujdesshëm dhe kërkojnë që veshjet e tyre ta ruajnë ngjyrën sa më gjatë, portali “CNET” sjell disa këshilla që mund t’ju vijnë në ndihmë.
E para që duhet të bëni është padyshim të kontrolloni udhëzimet në etiketën e çdo veshjeje. Në to gjenden udhëzime sesi t’i lani rrobat dhe si të ruani ngjyrën e tyre.
Nëse jeni vërtetë të detyruar për t’i larë të gjitha rrobat bashkë, me ngjyra dhe materiale të ndryshme, atëherë më e mira që mund të bëni është që t’i lani me ujë të ftohtë. Uji i ngrohtë dëmton fibrat, që çojnë në zbardhje të ngjyrës. Uji i ftohtë i ndalon rrobat që t’i dalë ngjyra. Në mënyrë që të lahen sa më mirë, zgjidhni një detergjent për larje me ujë të ftohtë.
Ndani rrobat me ngjyra nga të errëtat. Këto të fundit, çfarëdolloj gjëje që të bëni, kanë tendencën të lëshojnë ngjyrë, sadopak.
Përdorni programin e duhur për rrobat që lani. Nëse ato nuk janë shumë pis, nuk është e nevojshme që t’i lani në një program për rrobat që janë tepër pis. Duke bërë një veprim të tillë, e vetmja gjë që do përfitoni është rroba të vjetëruara para kohe.
Mos përdoni tharëse. Kjo e fundit e ashpërson sipërfaqen e fibrave të rrobave, duke i dëmtuar në një kohë fare të shkurtër.
Mos i lani rrobat më shpesh seç duhet. Nëse e keni veshur diçka për vetëm pak orë dhe nuk keni djersitur, nuk ka nevojë ta vendosni në lavatriçe.
Kthejini veshjet mbrapsht. Kjo do të mbrojë fibrat e tyre nga jashtë.
Përdorni zbutës, pasi ndihmon në ruajtjen e fibrave.
Përdoni gjysmë gote uthull në çdo larje për të parandaluar largimin e ngjyrës. Një tjetër përbërës që ndihmon në ruajtjen e ngjyrës është kripa. Aplikojeni atë (rreth 118.3 mililitra), herën e parë që lani një veshje.