Në një mëngjes të freskët Nëntori një shkollë në fshatin rumun të Sindrilita priti disa vizitorë të pazakontë, një pulë, një rosë dhe kujdestarët e tyre.
Nisma synon t’i mësojë nxënësit të jenë të sjellshëm me bashkëmoshatarët.
Pula Rodica dhe rosa Bubbles u prezantuan para studentëve nga Oana Vasiliu, veterinere në një fondacion për shpëtimin e kafshëve të egra.
Ato silleshin nëpër klasë me nxënësit e klasës së pestë që ndiqnin pas, ndërsa Rodica qëndroi në pjesën e përparme të klasës. Raluca Baleanu, një këshilltare për mbrojtjen e kafshëve në këshillin e qarkut Ilfov, tha se kjo nismë synon të nxisë nxënësit të jenë më empatikë.
“Është e rëndësishme të rritet empatia midis fëmijëve. Nëpërmjet kafshëve ne shpresojmë që ata të bëhen më empatikë edhe me njerëzit, sepse ngacmimi në shkolla mes nxënësve ka marrë përmasa mjaft të mëdha.”
Veterinerja Oana Vasiliu shpreht se ndikimi emocional dhe mesazhi për të qenë të sjellshëm ishte i fortë për fëmijët kur ata takojnë kafshët nga afër.
“Ka një ndryshim të jashtëzakonshëm kur të vegjlit i shohin vetë kafshët. Nëse thjesht u tregoni atyre foto apo edhe nëse shohin diçka për të drejtat e kafshëve në televizion, kjo nuk do t’i ndihmojë ata emocionalisht.”
Rreth 20 shkolla në qarkun Ilfov tanimë po ndjekin këtë nismë kryesisht për nxënësit e klasës së pestë dhe të gjashtë këtë vit. Zyrtarët shpresojnë që projekti do të rrisë ndjeshmërinë, të mësuarit dhe do të ndihmojë në luftën ndaj bullizmit, dhe pritet të zbatohet në mbarë vendin.
Klan News