Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Me vendim të marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, sistemi i paraburgimit në Shqipëri kalon nga Ministria e Rendit në varësi të Ministrisë së Drejtësisë. Administrimi i sistemit të paraburgimit nga forcat e rendit, shkaktonte mjaft probleme në respektimin e të drejtave të personave nën masa arresti, si dhe vështirësonte rrethanat e proceseve hetimore dhe gjyqësore.
Çështja në fjalë është trajtuar disa herë dhe në raportin e Komunitetit Europian, si dhe në raportin e fundit vjetor të DASH. Si hap i parë për kalimin e sistemit të paraburgimit në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, janë formuluar dy udhëzime nga dy ministritë përkatëse.
Këto dy udhëzime parashikojnë ngritjen e një grupi pune, për marrjen në shqyrtim të gjendjes aktuale në sistemin e paraburgimit. Deri tani problematike rezulton mbipopullimi i të burgosurve dhe të dënuarve në qelitë e burgjeve dhe komisariateve në vend.
Po në mbledhjen e fundit të qeverisë, janë miratuar dhe disa vendime të tjera. Kështu është miratuar projektligji për faljen kamatëvonesave të sigurimeve shoqërore të papaguara. Nga ky projektligj përfitojnë ndërmarrjet me kapital tërësisht shtetëror, ose kapital të përbashkët, si dhe persona fizik e juridik.
Gjithashtu është miratuar dhe një vendim për miratimin në parim të memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për drejtimin e stërvitjeve ushtarake”./tvklan.al