Situata gripale në vend është mjaft e qetë. Ky konstatim u bë prezent nga ministri i ri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, gjatë konferencës së tij të parë për shtyp pas emërimit në këtë detyrë.
Petrit Vasili: “Situata është e qëndrueshme, interesimi për çështjen është prioritar në nivelet më të larta të shtetit shqiptar. I gjithë informacioni që ne marrim në kohë reale dhe e analizojmë. Sikundër se edhe gjendja e gjithë sistemit shëndetësor që e mbështet është në dijeni dhe njohje e në vëmendjen kryeministrit shqiptar zoti Sali Berisha.”
Përsa i përket mbërritjes së vaksinës së këtij gripi, Vasili tha ajo nuk është porositur ende.
Petrit Vasili: “Sigurisht që nuk mund të porosisim vaksinë gripi. Ne e kemi rezervuar të drejtën për të blerë vaksinë, kemi të gatshme fondet dhe kurdo që vaksina të jetë gati, pra të jetë e mundshme për tu blerë, ne do të operojmë me blerjen e saj.”
Ekspertët e Shëndetësisë rekomandojnë që pavarësisht vaksinës kundër virusit A H1N1, qytetarët duhet të marrin vaksinën e gripit sezonal. E cila do të jetë në treg në fund të muajit shtator./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami