Era e fortë dhe shtrëngata kanë shkaktuar probleme në bregdetin e Durrësit. Si pasojë dy anije të ankoruara prej 40 ditësh në radën e brendshme kanë dalë në breg. Anija “Joni” me një kapacitet transportues prej 250 tonësh dhe anija “Disko”, si pasojë e shtrëngatës, u janë këputur spirancat dhe për pasojë kanë përfunduar në breg të detit. Sipas burimeve nga kapiteneria e portit, ekuipazhi i dy anijeve për shkak të motit nuk ka arritur të mbajë gjendjen nën kontroll.

Ndërkohë nga autoritet portuale konfirmohet se janë urdhëruar mjetet në lundrim të marrin masa për sigurimin e anijeve pasi forca e detit ka arritur në 6 ballë ndërsa ajo e erës 20m/sek. Tragetet kanë lundruar pa probleme dhe pa vonesa ndërsa anijet e tonazhit të mesëm dhe të lartë nuk kanë dalë në lundrim.

Rikthimi i stinës së shirave ka rënduar së tepërmi qarkullimin e automjeteve në aksin rrugor Elbasan- Peqin dhe Elbasan-Librazhd. Për shkak të dëmtimit të rrugës ekzistuese nga firmat ndërtuese të Korridorit 8 dhe mosfunksionimit të sistemit të ujërave dhe kanalizimeve, pjesë të ndryshme të këtij aksi janë përmbytur nga uji dhe balta. Popullsia e zonës dhe drejtuesit e automjeteve kanë 10 vjet që ankohen për gjendjen e rëndë të rrugëve.

Gjithashtu asnjë nga firmat ndërtuese të superstradës lindj-perëndim nuk i ka përfunduar në kohë punimet, madje si për ironi sot kur kanë filluar rreshtjet dhe shtrëngatat e shiut firmat kanë filluar punën për asfaltim. Sipas parashikimeve, por edhe nga vetë deklarimet e drejtuesëve të këtyre firmave, akset rrugore që lidhin Elbasanin me lindjen dhe perëndimin do të mbeten problematike dhe për vitin 2005./tvklan.al