Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kriminelët e rrëmbyesit nuk mund të vendosin kushte e të paraqesin kërkesat, duke u përpjekur t’u japin atyre domethënie politike, ka deklaruar zëdhënësi i qeverisë maqedonase, duke shtuar se kjo e fundit nuk ka ndërmend të ulet për bisedime me ata që i quajti grupe ekstremiste.

Duke iu referuar kërkesave të paraqitura nga përfaqësuesit e grupeve të armatosura me deputetë shqiptarë në parlamentin maqedonas, gjatë takimit që ata zhvilluan në Vaksinc, Krakovski tha, se askush nuk mund të kërkojë amnisti për aktet kriminale të kryera para dhe pas konfliktit. Lirimi i luftëtarëve shqiptarë nga burgu heqja e fletë-arresteve kundër tyre, respektimi i plotë i amnistisë, si dhe të tërheqja e forcave policore nga zona e Kumanovës, ishin kërkesat e paraqitura nga përfaqësuesit e grupeve të armatosura në takimin e Vaksincës.

Duke komentuar kërkesën për implementimin e vazhdueshëm të marrëveshjes së Ohrit, ai u shpreh, se incidentet e fundit janë kundër realizimit të kësaj marrëveshje dhe çojnë në destabilizimin e vendit dhe rajonit. Ndërsa zëdhënësja e ministrisë së brendshme maqedonase, Mirjana Kontevska është shprehur se situata në fshatrat Vaksinc dhe Llojan është e qëndrueshme dhe se aktivitetet policore atje po hyjnë në një fazë të dytë, e cila nuk përbën kërcënim për popullsinë.

Mësohet ndërkohë se kryeministri maqedonas Branko Cervenkovski nuk kanë pranuar sot të presë delegacionin e deputetëve shqiptarë, duke e justifikuar refuzimin me agjendën e ngjeshur të tij. Grupi i deputetëve kishte kërkuar takim me kryeministrin maqedonas, për t’i paraqitur këtij të fundit kërkesat e banorëve të fshatit Vaksinc, ku njësitë speciale të Maqedonisë vazhdojnë të jenë të përqendruara./tvklan.al

Gazetare – Irida Vasia