Procesi penal ndaj ish-zyrtarëve të komunës së Kasharit ka marrë një tjetër rrjedhë gjykimi për dhjetë të pandehurit e dosjes voluminoze të skandalit të tokave në këtë komunë.

Shtatë nga dhjetë të pandehurit kanë deklaruar se janë dakord me provat e akuzës duke kërkuar nga gjykata gjykim të shkurtuar.

Me një vendim të ndërmjetëm gjyqtari i çështjes, Sokol Tona, ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar për shtatë të pandehur, ndërsa për tre të tjerë, Ismail Bakalli, shpallur në kërkim, Naim Karaj, ish-kryeplak, dhe Ruhi Vasili, sekser, të dy në gjendje arresti do të gjykohen nga një tjetër treshe gjyqësore.

Dhe pse me dosje të veçanta grupi i ish-zyrtarëve të akuzuar si të përfshirë në aferat korruptive ka po të njëjtat akuza, shpërdorim detyre, mashtrim, falsifikim, tjetërsim të pronës dhe pastrim parash.

Gjykata administron në cilësinë e provës 19 fashikuj që prokuroria paraqiti si provë ndaj dhjetë të pandehurve.

Seancën e ardhshme në datën 15 Shtator shtatë të pandehurit do të japin shpjegime lidhur me akuzat përpara se gjykata të shprehet me vendim.

Alibia e tyre e vetme është fakti se shumë dokumente shkresore të skanuara mbajnë firmat e tyre të falsifikuara.

Dhe pse akuzat përmbajnë vite të tëra burg për ish-zyrtarët pranimi i gjykimit të shkurtuar iu ka hequr 1/3-tën e dënimit./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani