Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu po mban interpelancë me deputetët e opozitës në seancë plenare në lidhje me skandalin tek “Onkologjiku”.

Gjatë fjalës së saj në foltoren e kuvendit, ministrja ka thënë se secili prej mjekëve të përfshirë në skemën abuzive, duhet të përgjigjet për çdo krim të kryer teksa e ka vlerësuar këtë skandal si një faj të rëndë dhe të patolerueshëm.

Më tej, ministrja Koçiu i ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të zbardhin ngjarjen dhe të hetojnë me zero tolerancë që të nxjerrin para drejtësisë çdo individ që ka abuzuar me profesionin e mjekut.

Albana Koçiu: Më bën të ndihem e nderuar që kontribuoj në këtë kabinet qeveritar. Ne marrim përgjegjësitë dhe përballemi me to duke mos i mbuluar. Secili prej mjekëve duhet të përgjigjet për çdo krim të kryer. Në vlerësimin tim, përbën faj të rëndë dhe të patolerueshëm në nivelet e krimit që hyn në veprat kriminale.

Në lidhje me zullumin, dua të theksoj se Ministria e Shëndetësisë që në momentin e parë bëri thirrje për të zbardhur ngjarjen. Inkurajoj organet e drejtësisë të hetojnë me 0 tolerancë dhe të nxjerrin para drejtësisë çdo individ që ka abuzuar me profesionin e mjekut.

Jam dhe do të jem në krah dhe në mbrojtje të çdo anëtari të spitaleve që profesionin e ka të shenjtë. Akt i shëmtuar për ta kthyer në politike. Gjatë këtyre viteve të qeverisjes së PS na është dashur shumë punë për ta kthyer në vend dinjitetin e mjekut. Kemi punuar intensivisht për disa ndryshime në ligjin për Urdhrin e Mjekëve që përcakton parime të qarta për aktivitetin e bluzave të bardha.

Shpreh solidaritetin me qytetarët me të drejtë të tronditur njësoj si unë nga zullumi në “Onkologjik”, kjo ngjarje do të shërbejë si mësim për të ndërtuar një shërbim shëndetësor. Ministria mbështet hetimet e nisura dhe do të ndërmarrë të gjithë hapat për të vendosur meritokraci në sistemin tonë shëndetësor. Rasti i “Onkologjikut” nuk mundet të zhbëjë punët në të gjithë sistemin shëndetësor.

Duhet ta kemi forcën që këtë të keqe ta kthejmë në një të mirë afatgjatë duke punuar mbi të. Dua të them se shëndetësia është futur në një etapë të re që ka devizën “Punë dhe nder”. Përdorimi politik i disa ngjarjeve, nuk e zgjidhin problemin. Unë kam zgjedhur për të çuar përpara reformën, për të shëndetësuar sektorin në brendsësi të tij. Inkuroj organet që të vazhdojnë me ashpërsinë më të fortë për këdo që abuzon me jetën e çdo qytetari të Shqipërisë.


/tvklan.al