Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Papërgjegjshmëria e Fatos Nanos po thellon kizën politike që ka përfshirë vendin. Kryetari i PSD Skënder Gjinushi ka komentuar gjatë një konferencë për shtyp vendimin e kryeministrit Nano për të bërë aleancë me Pollon, që sipas tij është një aleancë fluide dhe një taktikë e kreut të socialistëve për të çuar të majtën në opozitë.
Skënder Gjinushi:- “Skenari politik është shumë i qartë, është destabilizues dhe kundër interesave të vendit dhe të së majtës. Bashkëpunim me partinë e ashtuquajtur të Pollos deri në Kongres, bashkëpunim me Berishën pas kongresit deri në zgjedhje të parakohshme dhe pastaj kalim i të majtës në opozitë dhe eventualisht zgjedhja e Nanos president nga opozita. Ai e nisi qeverisjen e tij në bashkëpunim dhe pazare me Berishën dhe po e përfundon në pazare me Pollon. Me sa duket nga dashuria 6-mujore me Berishën, polli Pollon”.
Gjinushi ka kritikuar dhe pozicionin që po mban presidenti i republikës në këtë situatë të krijuar, ku vendi po qeveriset me zv/ministra.
Skënder Gjinushi:- “Ne na vjen keq, që në këtë lojë është përfshirë dhe vetë presidenti, i cili nuk po bëhet garanti i Kushtetutës dhe mesa duket i lejohet të flasë vetëm kur ka konsensus, pra duhet të marri leje konsensuale për t’u prononcuar për këtë qeverisje, që vazhdon në rrugë jo legjitime dhe jo konstitucionale”.
Kreu i socialdemokratëve ka mbështetur dy kandidaturat e reja për kryetarin e PS, Mejdanin dhe Ramën, duke i cilësuar si dy figura të nevojshme për kthimin e imazhit të kësaj partie.
Skënder Gjinushi:- “Kandidaturat e Mejdanit dhe Ramës, janë dy kandidatura që i japin PS shumë vlera. Pra rikthejnë në të shpresën, për një parti që të rifillojë të qeverisë dhe tashmë vendin dhe jo vetë partinë apo kryesinë e saj, për të rikthyer unitetin, për të kthyer moralitetin në këtë parti, për të bërë që PS përsëri të ketë aleatë”./tvklan.al
Gazetare – Elja Zotka