Këto janë pamjet e publikuara në mediat franceze sa i takon ngjarjes së rëndë ku mbetën të vrarë dy oficerë policie dhe u plagosën rëndë 3 të tjerë.


Ngjarja ndodhi rreth orës 11:00 në mes të autostradës A154 në qytetin Val-de-Reuil, teksa oficerët po transportonin me furgon një të burgosur, nga burgu për në gjykatën e Rouen-it. Ishte ky momenti kur 4 persona të armatosur dhe të maskuar me dy automjete u zunë pritë, duke qëlluar me breshëri.

Një skenë e denjë për filma, ku më pas i burgosuri 30 vjeçar ia ka dalë të arratiset me “shpëtimtarët” e tij. Ata kanë djegur dy automjetet dhe kanë përdorur një makinë tjetër për t’u larguar nga vendngjarja.

Por kush është Mohamed A. (i burgosuri), i njohur ndryshe me pseudonimin “Miza”?

(Mohamed A.) I burgosuri në arrati

Deri më tani dihet se: I riu i arrestuar për grabitje, kishte tentuar të priste hekurat e qelisë vetëm dy ditë më parë, ndërsa dyshohet se është “koka” e një rrjeti narkotikësh. Ai rezulton po ashtu i paditur për “vrasje në tentativë nga një bandë e organizuar”.

Ministri i Drejtësisë Éric Dupond-Moretti deklaroi më herët se do bëhet gjithçka është e mundur për vënien para drejtësisë së autorëve të këtij krimi të cilin e cilësoi “të neveritshëm”. Një reagim vjen dhe nga Presidenti Emmanuel Macron i cili është shprehur: Jemi pranë familjeve të viktimave, të plagosurve dhe punonjësve të policisë. Autorët do dalin para drejtësisë!

Në kuadër të operacionit “Épervier”, më shumë se 200 forca policie janë vënë në gatishmëri për kapjen e autorëve. E.D/tvklan.al