Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, e ka quajtur joserioz qëndrimin e Partisë Socialiste ndaj kërkesës së qeverisë shqiptare për të aplikuar si vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Gjatë takimeve me banorë të komunës Kujan dhe Levan në Fier, Olldashi u shpreh se mungesa e koherencës është njëkohësisht edhe mungesë e vullnetit të opozitës për të pranuar ndryshimin e madh që po pëson vendi.

Sokol Olldashi: “Kur ne deklaruam që ne do të aplikojmë për vend kandidat në Bashkimin Evropian partia më e madhe e opozitës, Partia Socialiste, doli dhe tha qeveria po ngutet, ne nuk jemi akoma gati, ndërkohë dje që ne vendosëm të aplikojmë doli përsëri Partia Socialiste dhe tha qeveria është e vonuar, pra në 27 Mars na tha që nuk jemi akoma gati, dje na tha që jemi të vonuar. Cilën Parti Socialiste të besojmë? Të besojmë Partinë Socialiste të Arta Dades apo të besojmë Partinë Socialiste të Valentina Leskajt?”

Duke u ndalur tek investimet e kryera në këto 4 vjet, Ministri i Transporteve tha se qeveria ka shpenzuar katër herë më shumë para në projekte publike sesa socialistët në vitin e tyre më të mirë.

Ai premtoi se buxheti për arsimin dhe infrastrukturën do të pësojë një tjetër rritje, duke përmbushur kështu dy nga objektivat kryesorë të kësaj mazhorance./tvklan.al