Ministri i Transportit dhe Punëve Publike, Sokol Olldashi, i ka bërë thirrje bashkisë së kryeqytetit të marrë nën administrim ujësjellësin, dhe të mos e përdor këtë çështje politikisht.

Gjatë një takimi me përfaqësues të GTZ-së mbi rrjetin e ujësjellësit Olldashi u shpreh se procesi i transferimit të ujësjellësit nën varësinë e bashkive është realizuar në masën 83%.

Sokol Olldashi: “Rrezikon të ketë një frymë totalisht demagogjike ndaj ujit nga disa segmente të pushtetit vendor, kryesisht nga Bashkia e Tiranës, e cila ka shërbyer si model i keq dhe për Bashkinë e Durrësit. Ka një vit që ky sistem me të gjithë kuadrin e vet është transferuar dhe ka një vit që bashkia e Tiranës nuk reagon, bën sikur nuk është, nuk merr përgjegjësitë e veta dhe tenton të luajë politikisht”.

Përsa i përket borxhit prej 13 milion eurosh që ujësjellësi i ka OSSH-së, Olldashi u shpreh se debiti i krijuar është më i madh se subvencioni, ndaj duhet ndihma e disa aktorëve për zgjidhjen e problemit.

Sokol Olldashi: “Do të kërkoj një përgjegjshmëri më të madhe nga vetë ujësjellësi. Subvencionet kryesisht për energjinë elektrike dhe jo për pagat dhe për sigurimet shoqërore. Bashkitë dhe komunat që administrojnë sistemet e ujësjellsave të jenë më të vëmendshme ndaj këtij aspekti, por edhe vetë OSSH-ja të jetë më e kujdesshme me faturimin”.

Për verifikimin e faturave është ngritur një grup pune i përbashkët me OSSH-në dhe Ministrinë e Transportit dhe Punëve Publike./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami