Në skenën e teatrit “Petro Marko” në Vlorë, sonetat e përjetshme të William Shakespeare morën jetë nga interpretimi i aktorëve Astrit Mamaj, Margent Caushi, Alba Shtëmbari dhe Loris Sinanaj nën drejtimin e regjisorit Kristaq Skrami. Ky spektakël përmblodhi krijimtarinë e Shakespeare, duke ofruar një përvojë të veçantë artistike për publikun vlonjat.

Regjisori Skrami theksoi se çdo sonet mbart një dramë të brendshme që përmes leximit dhe interpretimit, përcjell mesazhe morale, shpirtërore dhe filozofike. Ai shpjegoi se nëpërmjet tyre, Shakespeare na kujton përkohshmërinë e jetës dhe nevojën për ta jetuar atë me intensitet.

“Kjo krijon një impakt shumë emocional në spektator. Dhe mua më vjen mirë që një shfaqje e tillë që është e kuruar vetëm në poezinë e mbrekullueshme të Shekspirit u ndoq me kaq vëmendje nga spektatori”, tha regjisori Kristaq Skrami.

Kjo mbrëmje e veçantë u përshkrua nga një atmosferë magjike, e cila u pasurua nga muzika e kompozitorit, Aulon Naci. Ai u shpreh se kjo ishte një nga veprat më të bukura që i ofronin mundësinë t’i japë jetë muzikore vargjeve të Shakespeare.

“Është një nga veprat më të bukura shekspiriane të cilat të japin dhe mundësinë që t’i muzikosh. U mundova të përjetoja emocionet ashtu si publiku dhe ndryshe nga aktorët të cilët secili ka rolin e vetë, unë isha i përqendruar për të gjitha poezitë dhe sa herë i shoqëroja dhe i lexoja më jepnin shumë emocione”, u shpreh kompozitori Aulon Naci.

Aktorët ndanë emocionet për shfaqjen e teatrit, duke theksuar peshën që mbart vepra e Shakespeare.

“Kjo shfaqje është shumë herë më specifike se shfaqet e tjera sepse janë poezi, shumë ndryshe nga veprat letrare dhe dramaturgjia. Jam e emocionuar sepse është shumë peshë e madhe që të luash një vepër të Shakespeare. Ai është autori më i madh i letërsisë botërore, kështu që të interpretosh poezitë e tij do mjeshtëri shumë të lartë do përkushtim dhe do një punë të madhe. Kështu që jam shumë e përqëndruar”, tha aktorja Loris Sinanaj.

“Sonetet e William Shakespeare” do të ngjiten sërish në skenë mbrëmjen e së dielës, duke ftuar sërish publikun të zhytet në magjinë e fjalëve të pavdekshme të dramaturgut të madh.

Klan News