Shqipëria feston sot 112-vjetorin e Pavarësisë. Me rastin e kësaj feste kombëtare, aktivitete të shumta janë planifikuar ditën e sotme.
Sipas traditës shumë vjeçare, në Vlorë u zhvillua ceremonia e ngritjes së flamurit, ku morën pjesë krerët më të lartë të shtetit.
Të pranishëm ishin Presidenti Begaj, Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, Kryeministri Edi Rama, si dhe Kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
Pas ngritjes së flamurit dhe ekzekutimit të himnit, krerët e shtetit vendosën kurora me lule në nderim të përpjekjeve dhe sakrificave të patriotëve shqiptarë për pavarësi.
Ndërsa në Tiranë do të zhvillohet parada kuqezi. Parada do të zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Në këtë aktivitet do të marrin pjesë mbi 350 grupe artistike nga anë e mbanë botës kudo ku flitet shqip.
Parada Shqiptare për Festën e Pavarësisë synon të rikthejë vëmendjen tek vlerat e kostumeve popullore, riteve, traditave por dhe trashëgiminë e historisë së kombit te brezat e rinj.
Edhe Kryeministri Edi Rama ka uruar pavarësinë përmes një postimi në rrjetet sociale me anë të videoje.
“Me jehonën e këngës “Për ty, Atdhe”, nga Sheshi i Flamurit në Vlorë, te Kalaja e Rozafës në Shkodër dhe Sheshi Skënderbej në Tiranë, ju uroj Gëzuar Ditën e Pavarësisë”.
/tvklan.al