Sonila Meço: “Je në zemrën e një zhvillimi shumë të madh historik që përkon si me një ngjarje të rëndësishme për vetë aleancën, ashtu edhe për shqiptarët, që në fillim një atmosferë. Si paraqitet ajo atje ku ndodhesh ti?”

Blendi Fevziu: “Po është e njëjta atmosferë që ka qenë dhe në samitin e Bukureshtit dhe në një samit të mëparshëm që unë kam qenë në Uashington. Është gjithmonë e njëjta situatë kaotike, aq më tepër që samiti zhvillohet në dy vende, pra në Francë dhe në Gjermani. Është një samit i përbashkët franko-gjerman dhe kështu ka një dozë kaosi. Padyshim që shqetësimet kryesore janë ato që kishin të parashikuara, të paravendosura në agjendë dhe që lidhen kryesisht me çështjen e Afganistanit, me raportet me Rusinë si dhe me çështjen e mbrojtjes anti-raketë. Në të vërtet nga informacionet e deritanishme që unë kam, pra nga bisedimet e brendshme duket se palët kanë mbetur ende pezull, pra kanë gjetur një zgjidhje mesa duket për problemin e Afganistanit, nisur dhe nga takimi i Hagës i ditës së hënë, i cili i ka paraprirë samitit të sotëm, por ka pasur ende diskutime lidhur me qëndrimin e aleancës ndaj Rusisë, diskutime të cilat janë hapur kryesisht nga një lloj skepticizmi i përfaqësuesve të Gjermanisë, si dhe problemet që lidhen me mbrojtjen anti-raketë dhe probleme të tjera më të vogla, por në përgjithësi duhet thënë që ka dy anë, aspekti i problematikës së samitit që janë këto që unë thashë. Aspekti tjetër është ai viziv. Është një samit, jo vetëm është 60-vjetori i NATO-s, por është i pari samit ku bien, pra i sapozgjedhur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, i cili e ka në një farë mënyre këtë dhe turin e tij të parë evropian, pra pavarësisht se e ka nisur nga Londra dhe duket se vëmendja mediatike është përqendruar e gjitha tek Barack Obama dhe tek gruaja e tij, Michelle, në të dyja kahet. Pra edhe pritja shumë entuziaste që i është bërë atij në Evropë dhe sidomos në Francë, por edhe kontestimi i anti-globalistëve që mesa duket është i fortë në linjën midis Këlnit dhe Strasburgut”./tvklan.al