Kapri dhe 5 të tjerë akuzohet për tendera dhe pengim të zgjedhjeve
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundon hetimet dhe dërgon në gjykatë dosjen për ish-kryetarin demokrat të Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri. Ai akuzohet për veprat penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim dhe “Shpërdorim detyre”.
Kapri dhe 5 ish-zyrtarë të kësaj Bashkie akuzohen së pari për shkelje në tenderin e blerjes së druve të zjarrit me 9.2 milionë lekë të reja të zhvilluar në tetor të 2017-s. Për këtë tender para gjykatës do të përballen edhe Avdulla Cano, ish-Zv/Kryetar i Bashkisë, Nexhmi Torra, ish-koordinator i Njësive Administrative të Bashkisë, Enkeleida Kllomollari, ish-Drejtoreshë e Qendrës Arsimore të kësaj bashkie. Sipas SPAK ata kanë kryer shkelje duke favorizuar kompaninë fituese.
Një tjetër akuzë që rëndon ndaj ish-kryebashkiakut është ajo e pengimit të zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit të 2019-s duke mbyllur me çelës në rrethin e jashtëm 3 shkolla dhe 1 kopsht ne lagjet 2 dhe 5 të qytetit të përcaktuara nga KQZ si qendra votimi. Për këtë çështje do të dalin para gjykatës edhe Gurali Blaceri dhe Safet Blaceri, ish-punëtorë të mirëmbajtës në Drejtorinë e Qendrës Arsimore Pogradec. SPAK thotë se nuk ka pasur asnjë kërkesë për sigurinë e këtyre objekteve që ato të mbylleshin 2 ditë para zgjedhjeve.
Pak ditë më parë një tjetër kryebashkiak, ai i Lushnjes Fatos Tushe u arrestua me urdhër të SPAK për abuzime me tenderat publikë.
Tv Klan