Gjykata e Posaçme miratoi kërkesën e SPAK për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”
Gjykata e Posaçme miratoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Arben Ahmetajt. Menjëherë pas caktimit të masës së sigurisë “arrest me burg” në mungesë këtij vendimi, Prokuroria e Posaçme dorëzoi urdhër-arrestin në polici dhe kërkoi informacion për vendndodhjen e ish-ministrit.
Duke qenë se Ahmetaj ndodhet jashtë vendit, policia pritet t’i përgjigjet prokurorisë me të dhënat që tregojnë largimin e tij nga territori i Shqipërisë. Pas kësaj prokuroria do e shpallë në kërkim ndërkombëtar nëpërmjet Interpol Tiranës. Partnerët e parë të cilëve do u dërgohet urdhri për lokalizimin e Ahmetajt, janë autoritetet e Britanisë, pasi avokatët e ish-zv kryeministrit kanë deklaruar se ndodhet pranë familjes në Londër.
Shqipëria dhe Anglia kanë marrëveshje ekstradimesh. Vendimi i Gjykatës për arrestimin e Ahmetajt, është i treti i firmosur nga Gjykata e Posaçme pas heqjes së imunitetit të deputetit.Dy vendimet e tjera, kishin të bënin me kontrollin e banesave dhe sekuestrimin e pasurive për llogari të hetimeve.
Pak ditë më parë, Byroja Kombëtare e Hetimit kontrolloi 6 banesa dhe sekuestroi 6 pasuri në pronësi të Arben Ahmetajt dhe familjarëve, nga të cilat 4 banesa dhe 2 llogari bankare në vlerën e 124 mijë eurove.
Ndaj Ahmetajt rëndojnë tre akuzat që janë: korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.
Prokuroria e Posaçme e akuzon ish-zv/kryeministrin se ka marrë përfitime të drejtpërdrejta e të tërthorta për koncesionet e 3 inceneratorëve, nga Klodian Zoto e Mirel Mërtiri.
Klan News