Në kuadër të hetimeve për skandalin tek spitali Onkologjik SPAK ka nisur të marrë në pyetje personat e dyshuar. Të enjten në Prokurori për gati dy orë ka dhënë sqarime mjeku Edmond Gashi. Burime për klan News bëjnë me dije se ai ka mohuar dyshimet e Prokurorisë së Posaçme se ka shpërdorurar detyren.
“Nuk kam bërë korrupsion dhe ndaj e hapa kliniken time private. Pacientët më vinin vetë tek klinika. Jam mjeku që kam bërë më tepër ndërhyrje në spitalin shtetëror.”
Ditët në vazhdim do të paraqiten për të dhënë shpjegime në Prokurori edhe të dyshuarit e tjerë në lidhje me këtë çështje. SPAK është në pritje të përgjigjieve nga një sërë institucionesh lidhur me mjekët dhe pasurinë e tyre.
Nga hetimi rezultoi se mjekët i merrnin pacientët nga spitali Onkologjik dhe i dërgonin në klinikën private të Gashit. Po ashtu ka dyshime se disa pacientë janë operuar pa qenë e nevojshme, kjo vetëm që ata të paguanin. Prokuroria përveç korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës është duke hetuar edhe për kontrabandë ilaçesh. Një nga ilaçet kryesore për kimioterapinë dyshohet se është nxjerrë nga farmacia e Onkologjikut dhe shitej në farmaci private duke i hequr bar kodin në vlerën e 1300 eurove.
Klan News