Prokuroria e Posaçme ka miratuar strategjinë e hetimit për parandalimin e krimeve zgjedhore gjatë votimeve të 11 Majit. Ky plan masash është lëshuar më urdhër të drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, dhe struktura qendrore do të drejtohet prej tij.
Në përbërje do të ketë prokurorë, hetues të BKH-së, hetues financiarë, ekspertë dhe staf administrativ mbështetës.
“Grupet hetimore në terren do të fokusohen në parandalimin dhe hetimin e veprave penale që lidhen me përdorimin e administratës publike, infrastrukturës shtetërore, dhe përfshirjen e grupeve kriminale në procesin zgjedhor”, thotë Prokuroria e Posaçme.
Në njoftim zyrtar të SPAK thuhet se do të ngrihet një grup pune që do të monitorojë financat dhe përdorimin e buxhetit gjatë fushatës.
“Një grup pune më përbërje hetues të hetimit financiar dhe ekspertë të tjerë të fushës në Prokurorinë e Posaçme do të monitorojnë përdorimin e buxhetit dhe investimet publike të cilët nuk lejohen të kryhen gjatë periudhës zgjedhore nga subjektet e posaçme”, thuhet në njoftim.
SPAK thotë se gjatë periudhës zgjedhore grupet hetimore në terren do të koordinojnë dhe bashkëpunojnë edhe me drejtuesit dhe prokurorin e gatshëm të zyrave të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm, drejtuesit e drejtorive të policisë dhe drejtues të agjencive ligjzbatuese.
Në njoftimin zyrtar SPAK thotë se drejtuesi i Prokurorisë, sipas vlerësimit të situatës, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Prokurorin e Përgjithshëm, Drejtorin e Policisë së Shtetit dhe Komisionerin Shtetëror. Një nga hetuesit e BKH-së caktohet si person përgjegjës, i cili do të jetë në kontakt të ngushtë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me qëllim shkëmbimin e informacioneve dhe të dhënave në kohë reale.
SPAK informon se do të ngrihet një platformë e posaçme për denoncime nga qytetarët dhe institucionet, duke përfshirë një numër emergjent, raportime online dhe adresë email-i. Do të ngrihet një grup pune i posaçëm që do të monitorojë të dhënat e bëra publike në media dhe rrjetet sociale dhe që më pas do t’ia përcjellë këto të dhëna Strukturës Qendrore dhe grupeve hetimore në terren.
Klan News