Spanja, Norvegjia dhe Irlanda vendosin të njohin shtetin e Palestinës. Në një hap të paralajmëruar mes luftës së ashpër izraelite në Rripin e Gazës, kryeministrat e këtyre vendeve, pasi shpallën vendimin me deklarata të veçanta, deklaruan se formalisht do ta hedhin këtë hap sëbashku javën e ardhshme më 28 Maj.
“Sot, Irlanda, Norvegjia dhe Spanja shpallin njohjen e shtetit të Palestinës”, tha Kryeministri i Irlandës.
“Mes një lufte me dhjetëra mijëra të vrarë e të plagosur, duhet të mbajmë gjallë alternativën e një zgjidhjeje politike për izraelitët dhe palestinezët, siç është ajo për të jetuar në dy shtete në paqe dhe siguri”, u shpreh Kryeministri i Norvegjisë.
“Vendimi nuk merret kundër popullit izraelit apo kundër hebrenjve. Nuk është as në favor të Hamasit, por në mbështetje të bashkë-jetesës”, deklaroi Kryeministri i Spanjës.
Përmes rrjetit social X, ministri i Jashtëm izraelit Izrael Katz e quajti vendimin e këtyre vendeve një akt të shpërfytyruar.
Katz tha se këto vendime do të kenë pasoja të rënda. Ndërsa Hamasi mirëpriti vendimin. Shtetin palestinez e kanë njohur deri më sot të paktën 140 vende anëtare të OKB-së por shumë të pakëta janë shtetet perëndimore.
Spanja nuk ka përdorur të njejtat argumente deri më sot për njohjen e Kosovës.
Tv Klan