Spanja zhvilloi stërvitjen e radhës përpara ndeshjes së tretë në Grupin B të Euro 2024 kundër Shqipërisë. Skuadra e De La Fuente ka impresionuar në Euro deri më tani dhe ka siguruar vendin e parë në Grupin B me 6 pikë që do të thotë kalimi në fazën me eliminim direkt.
Kjo përfaqësuese do të luajë me ritëm të lartë edhe ndaj kuqezinjve. Tekniku ka pohuar më herët se do të lërë pushim disa prej titullarëve të ndeshjeve të para duke aktivizuar lojtarët e stolit, duke përfituar edhe nga fakti se ka në dispozicion ekipin më të mirë të momentit. Që para nisjes së kampionatit, Spanja ishte një prej skuadrave favorite, ndërsa tashmë kuotat e saj janë rritur edhe më shumë.
Të rinjtë, Lamine Yamal, Nico Williams dhe Pedri patën paraqitje të jashtëzakonshme ndaj Italisë, ndërsa sulmuesi Alvaro Morata, mbrojtësi Dani Carvajal dhe mesfushori Rodri ofrojnë përvojë të madhe. Nga ana tjetër, Shqipëria kërkon një mrekulli më dëshirën për të bërë një fitore ndaj Spanjës, si mundësia më e mirë për të kaluar grupin.
Tv Klan