Spanja do të tërheqë trupat e saj nga Kosova në vjeshtë.

Vendimi është zyrtarizuar tashmë dhe u është komunikuar edhe ushtarëve spanjollë nga vetë ministrja e mbrojtjes Carme Chacon, gjatë një vizite në Kosovë. Në një intervistë për mediat Chason tha, se Spanja do të tërhiqet gradualisht, në koordinim me aleatët, por vendimi është absolutisht përfundimtar.

“Trupat spanjolle nuk do të marrin pjesë në asnjë operacion, sepse ne nuk e kemi njohur pavarësinë e Kosovës”- tha ajo

Sipas ministres spanjolle Kosova tani po i konsolidon institucionet, dhe nuk ka nevojë për paqeruajtës për operacionet e pasluftës, apo mbrojtjen e refugjatëve.

“Arsyet që e çuan Spanjën në Kosovë 10 vite më parë, kanë përfunduar”, theksoi ajo.

Chacon  ka mohuar se në qeverisë socialiste të Spanjës ka dallime lidhur me vendimin për tërheqjen nga Kosova. Spanja aktualisht ka 600 trupa të mobilizuar në vend që nga viti 1999.

Vendimi i Madridit ka hasur në kritika të shumta nga sekretari i përgjithshëm i Natos, Jap de Hoop Scheffer. Madridi është një nga të pestë anëtarët e Bashkimit Europian si Qipro, Greqia, Sllovakia dhe Rumania që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle