Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Parlamenti është njohur gjatë pasdites me ambicien më të re të qeverisë së kryeministrit Fatos Nano, fillimin brenda këtij viti të punimeve për rrugën Durrës-Morinë. Lajmin e ka bërë të njohur Ministri i Transporteve Spartak Poçi, gjatë një interpelance kërkuar nga deputeti demokrat Luigj Gjoka. Por me gjithë dëshirën e mirë asgjë nuk është e sigurt, deri në përfundimin e studimeve të fizibilitetit të kësaj rruge të rëndësishme.
Spartak Poçi:- “Mbi këtë bazë mendojmë se tashme janë të gjitha premisat, që punimet të fillojnë brenda vitit 2003, ose ndoshta dhe brenda muajit Shtator të këtij viti. Përsa i përket sigurimit të fondeve nga donatorë të fuqishëm, jemi duke punuar intensivisht dhe deri tani janë ofruar mjaft të tillë dhe madje tepër serioz, por ajo çka tashmë është e qartë nga të gjithë, nuk mund të merret asnjë vendim final para përfundimit të studimit të fizibilitetit”.
Iniciativa për ndërtimin e kësaj rruge, i takon ish-kryeministrit Pandeli Majko dhe që nga Korriku i vitit 2002 dhe deri në fund të Janarit, llogaritet që nga taksa e të ashtuquajturit Majko, të jenë mbledhur 1.5 miliard lekë. Por sipas deputetëve të opozitës, ky fond nuk ekziston të paktën deri në Dhjetor, pasi qeveritë socialiste e kanë shpenzuar atë për t’u mbyllur siç thuhet, vrimat e korrupsionit./tvklan.al
Gazetare – Elona Meço