Spitalet nuk do të mirëpresin më asnjë pacient që shkon aty pa marrë rekomandimin e mjekut të familjes. Që këtej e tutje mjeku i familjes i cili është mjeku patolog në poliklinikën e lagjes do të jetë pika e parë e kontaktit me çdo pacient. Edhe pse kjo është parashtruar qartësisht në sistemin e referimit, nuk zbatohet nga të gjithë qytetarët.

Ermira Tomori: “Në poliklinikën tonë janë 20 mjekë familje të cilët e ofrojnë këtë shërbim. Mjekët e familjes që mbulojnë pediatrinë kanë 1500 fëmijë, kurse mjekët e familjes për të rritur mbulojnë nga 2500 deri në 3000 banorë. 70% e banorëve që kemi e frekuentojnë mjekun e familjes.”

Mjeku i familjes ka kartelat personale që prej lindjes së çdo banori të zonës së tij, për pasoje ai mund të jap një shërbim shumë të  specializuar në çdo rast, dhe është ai që duhet të orientoj pacientët në mjekët specialist apo spitale.

Ermira Tomori: “Në momentin që mjeku i familjes nuk e zgjidh dot këtë problem, ai në bazë të një rekomandimi tip, të cilin e disponon mjeku i familjes, e drejton në poliklinikën e specialiteteve. Në momentin që dhe një mjek specialist nuk e ofron dot këtë lloj ndihme, atëherë mund të lindi nevoja që ti drejtohemi spitalit.”

Edhe rastet urgjente, veçanërisht ato pediatrike mund të paraqiten në poliklinikat e lagjeve të cilat janë të hapura në çdo ditë të javës.

Lida Bezhani: “Neve punojmë ditën e diel, e kemi shërbimin e rregullt si çdo ditë që nga ora 7:30 të mëngjesit deri në 20:10. Pranë shërbimit tonë bëhen edhe reidrime, neve kemi dhomë të veçantë për reidrimin e fëmijëve.”

Në poliklinikat e lagjeve ofrohen pothuajse të gjitha shërbimet që janë dhe në spitale, por  mos frekuentimi i tyre vjen nga padija e pacientëve, por që këtej e tutje mjeku i familjes duhet të jetë dera e parë ku troket çdo pacient nëse do të marrë një shërbim në sistemin shëndetësor publik./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami