Një i moshuar mund të vdesë si pasojë e dëmtimeve të shkaktuara nga rrëzimi, ndaj Instituti i Shëndetit Publik e ka vënë këtë fenomen në fokus të studimeve të tij.
Sipas tyre në vendin tonë për rrëzimet nuk bëhet asgjë. Mjekët nuk merren me parandalimin e tyre, ndonëse statistikat tregojnë se në 29% të rasteve të rrëzimeve shkaktohet vdekja.
Andis Karagjozi: “29% e dëmtimeve që vijnë nga rrëzimet shkaktojnë vdekje në të moshuarit e moshës 65 vjeç dhe më të mëdhenj. Më shumë se 1/3-ta e të moshuarve të moshës 65 vjeç dhe më të mëdhenj rrëzohen çdo vit.”
Sipas të dhënave nga shërbimi i traumës në Spitalin Ushtarak duke bërë një krahasim të ndërhyrjeve të kryera për shkak të rrëzimeve nga vitet ’70 deri më sot numri është 14 herë më i lartë, çka tregon se ky fenomen ka ardhur në rritje.
Andis Karagjozi: “Gati nuk bëhej asnjë operacion nga mosha 75 deri në moshën 85 vjeç, pra ishin zero interventët në këtë fushë. Deri në vitin ’74 patëm 1-2 raste. Pamë pastaj që në vitet ’95 mbi moshën 65 vjeç patëm 25 raste në moshën 70-75 shtatë raste. Në 2004 ka pasur 50 intervente të tilla, pra 50 operacione të rënda të tilla, moshat 75-80 vjeç janë mosha të larta. Kemi dhjetë raste në 2001-shin, 14 raste në 2003-shin, 12 raste në 2004”.
Sipas studimeve i moshuari që është rrëzuar një herë ka tre herë më shumë mundësi të rrëzohet sërish, ndaj për të parandaluar këtë fenomen që mund ta quajmë vdekjeprurës për moshat e treta specialistët propozojnë përgatitjen e manualeve që shërbejnë për parandalimin e rrëzimeve. Do të mund të përdoren nga mjekët e familjes./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami