Seanca paraprake për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqajn dhe të pandehurit e tjerë për dosjen e “Sterilizimit” është shtyrë. Shkak për shtyrjen e seancës është bërë mungesa e avokatit Klodian Skënderi.

Gazetarja e Klan News, Glidona Daci raporton se seanca e radhës pritet të zhvillohet më datë 10 Qershor, në orën 09:00.

Më 30 Mars të këtij viti, SPAK mbylli hetimet për dosjen e koncesionit të “Sterilizimit” dhe dërgoi në gjykatë dosjen ndaj 9 personave të vënë nën akuzë.

Mes tyre është dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Ndaj këtij të fundit, prokuroria ka ngritur veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, lidhur me procedurat e dhënies së koncesionit me vlerë 100 milionë Euro, në vitin 2015.

Nga hetimet ka rezultuar se ish-ministri nuk ka evituar konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, fituesin e koncesionit me vlerë 100 milionë Euro dhe nuk ka kërkuar studim të detajuar për nevojat e sterilizimit në mënyrë që të zgjidhte një variant më pak të kushtueshëm./tvklan.al