17 persona kanë rënë në prangat e policisë në një operacion, kundër mashtrimit ekonomik dhe me kriptomonedha. Në një njoftim për mediat, Policia e Shtetit sqaron se operacioni vjen pas një hetimi disa mujor dhe se ai është shtrirë në Tiranë e Shkodër. Deri në këto momente autoritetet thonë se kanë kontrolluar 32 ambiente të ndryshme, janë sekuestruar para e pajisje kompjuterike. Më shumë detaje policia thotë se do të përcjellë në përfundim të operacionit në fjalë.

“Në përgjigje të interesit të medias, mbi një operacion policor, aktualisht në zhvillim, ju sqarojmë se: Si rezultat i një hetimi disamujor, me metoda speciale, po zhvillohet sot, operacioni policor i koduar “USDT-1”. Zhvillimi i këtij operacioni, rezultat i punës së mirorganizuar të Drejtorisë për Hetimin e Krimit Kibernetik së DPPSh-së, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë. Deri tani, në kuadër të këtij operacioni, është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Tiranës, për 17 shtetas, si dhe janë kryer kontrolle në 32 ambiente në Tiranë dhe në Shkodër. Në cilësinë e provës materiale, janë sekuestruar pajisje kompjuterike, celularë dhe shuma të konsiderueshme parash. Operacioni është në vijim. Në përfundim të tij, Policia e Shtetit do të japë njoftim të detajuar për median dhe qytetarët”, thuhet në një njoftim të Policisë së Shtetit.

Më herët, gazetari Besar Bajraktaraj raportoi nga hetimet është zbuluar një rrjet i gjerë për sa i përket mashtrimeve ekonomike dhe me kriptomonedha. Sipas tij, kontrolle janë bërë në Vorë, Laknas, Kamëz, Fushë-Krujë, Mëzez, Kashar, Fresk, dhe në disa zona të tjera të Tiranës.

6 nga masat e sigurisë mësohet se janë pronarë pikash Exchange, të cilët këmbenin kriptomonedhat në bizneset e tyre. Personat e tjerë janë bashkëpunëtorë që reklamonin aktivitetin në rrjetet sociale. Autoritetet dyshojnë se kemi të bëjmë me pastrim parash. Aktiviteti i tyre është zbuluar nëpërmjet agjentëve të infiltruar./tvklan.al