Pas 3 javësh në rrugë, studentët kanë gjetur një tjetër formë proteste. Në Fakultetin e Drejtësisë ata kanë mbyllur dyert me karrige dhe tavolina.

Qëndrojnë të ngujuar dhe nuk duan të  identifikohen pasi thonë se janë kërcënuar. Mësimi është bojkotuar edhe në Fakultetin e Histori-Filologjisë dhe tek Ekonomiku.

Ashtu si një ditë më parë, studentët e Shkencave Sociale kanë vendosur të bojkotojnë mësimin dhe uzurpojnë ambientet e brendshme të fakultetit  për të mos lejuar zhvillimin e mësimit. Ata kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre si dhe i kanë drejtuar një shkresë Dekanatit për mungesat si dhe shtyrjen e sezonit të provimeve.

“Protesta kryesore është bojkoti i mësimit dhe do të bojkotohet mësimi dhe do të zgjedhim këtë forme proteste derisa kërkësat tona të plotësohen dhe të rrëzohet ligji i arsimit të lartë. Kemi menduar që në një ditë të caktuar të marshojmë dhe protestojmë në shesh”.

“Me anë të okupimit të fakultetit mund të nisim një jetë universitare që ka qenë e munguar deri tani. Është pa afat, një herë në javë mund të dalim të protestojmë përpara Kryeministrisë, Ministrisë apo kudo tjetër por për momentin qëndresa do jetë brenda fakulteteve”.

“Forma e protestës është okupimi i fakultetit, ne nuk tërhiqemi derisa universiteti të bëhet siç duam ne. Ne nuk vandalizojmë, nuk prishim gjë, ne e respektojmë universitetin sepse është i yni”.

Kërkesave të studentëve u është përgjigjur Dekanati i Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Në një njoftim për mediat, Dekanati shpreh mbështetje ndaj shqetësimeve dhe kërkesave të drejta të studentëve, dhe shpreh vullnetin e gatishmërinë për të gjetur të gjitha rrugët e mundësitë për zgjidhjen optimale për përmbushjen e plotë të procesit mësimor në të gjitha ciklet e studimit, brenda kufijve kohorë, të parashikuara në strukturën mësimore të vitit akademik 2018-2019. Qeveria miratoi 11 vendime dhe 4 urdhra të Kryeministrit për të plotësuar kërkesat, por as ky hap nuk i ka ndalur protestat”.

Tv Klan