Një nxënëse 7-vjeçare humbi jetën dhe 6 persona të tjerë u plagosën nga një sulm me thikë në një shkollë fillore në Zagreb. Autor është një 19-vjeçar, i cili dyshohet se vuante nga probleme mendore dhe u ndalua nga policia.

Ministri i Brendshëm, Davor Bozinoviç, tha se autori është një ish-nxënës i kësaj shkolle, i cili hyri në ndërtesë në mëngjes dhe plagosi me thikë mësuesin dhe fëmijët.

Të afërmit e fëmijëve që ndiqnin një shkollë fillore në Kroaci u shprehën se kjo ngjarje i ka prekur rëndë ata.

“Rrugës për këtu, takova një fqinj, fëmija i të cilit është në klasën e pestë, ai doli nga ora e mësimit fizik. Ishin të tronditur, nuk mund të thonin dy fjalë, padyshim kjo ngjarje ka prekur fëmijët”.

Mediat shkruajnë se mësuesi është në gjendje të rëndë shëndetësore. Autoritet kroate sqarojnë se autori u largua nga vendi i krimit dhe u fut në një qendër shëndetësore ku u përpoq të kryente vetëvrasje, por u ndalua nga policia.

I dyshuari kishte patur në të kaluarën një sërë problemesh të shëndetit mendor dhe kishte tentuar të kryente vetëvrasje edhe vitin e kaluar.

Kryebashkiaku i Zagrebit, Tomislav Tomašević, e shpalli të premten ditë zie.

Klan News