Vizita e presidentit francez Emmanuel Macron në ishujt Mayotte është pritur me kritika nga vendasit. Ata kërkuan dorëheqjen e tij dhe më shumë ndihma në zonat e shkatërruara. Ndërsa shefi i Elizesë u ka thënë banorëve: “Unë nuk jam cikloni. Nuk jam përgjegjës”.
Ai mbërriti në territorin francez, pesë ditë pasi cikloni Chido përfshiu ishujt e vegjël. Kreu i qeverisë franceze u tha gazetarëve se e kishte zgjatur vizitën e tij deri të premten në shenjë respekti për të prekurit.
“Vendosa të vij këtu dhe të rri më gjatë pasi do të ishte gjëja e duhur për t’u qëndruar sa më pranë banorëve që janë prekur nga cikloni. Në shenjë respekti për atë çfarë përjetuan”.
Presidenti francez garantoi se qeveria do të ofrojë më shumë ndihma dhe Franca do të mbajë një ditë zie kombëtare të hënën. Ai u zotua të rindërtojë infrastrukturën dhe shtëpitë e shkatërruara të ishujve.
Të paktën 31 persona kanë humbur jetën, por numri i viktimave pritet të jetë shumë më i lartë pasi dyshohet për mijëra të zhdukur. Shumë banorë nuk furnizohen me ujë të pijshëm dhe energji elektrike.
Klan News