Tanket izraelite u futën më thellë të hënën në dy qytete në veri të Gazës dhe një kamp historik refugjatësh dhe mbajnë aty të rrethuar 100,000 civilë. Ushtria izraelite tha se po vijon operacionet për të eliminuar dhe ndaluar rigrupimin e militantëve të Hamasit. Ushtria tha se kapi 100 militantë të dyshuar të Hamasit gjatë bastisjeve në spitalin Kamal Adwan në kampin Jabalia. Hamasi dhe mjekët mohuan praninë e militantëve në spital. Nga këto bastisje u vranë të paktën 19 vetë nga sulmet ajrore dhe bombardimet, 13 prej tyre në veri të territorit të shkatërruar.
Shërbimi i Emergjencave Civile Palestineze tha se rreth 100,000 vetë ndodhen të bllokuar në Jabalia, Beit Lahiya dhe Beit Hanoun ushqime e ilaçe. Kjo masakër humanitare ndodh në sfondin e bisedimeve të dështuara për armëpushim të udhëhequra nga ShBA-ja, Egjipti dhe Katari. Pas disa përpjekjeve të dështuara, presidenti egjiptian Abdel Fatah el Sisi propozoi një armëpushim fillestar dyditor në këmbim të katër pengjeve izraelite dhe lirimit të disa të burgosurve palestinezë, pasuar nga bisedime 10 ditore për një armëpushim të përhershëm.
Por kryeministri Benjamin Netanyahu e refuzoi propozim egjiptian. Ai shtoi se ndërmjetësit do të rifillojnë bisedimet në ditët në vijim “në përpjekje për arritur një marrëveshje”, por pa dhënë detaje të tjera. Situata do të bëhet më e qartë pas zgjedhjeve presidenciale amerikane ku Netanyahu po përpiqet të ndikojë duke mos i dhënë ndonjë fitore diplomatike administratës demokrate Biden.
Parlamenti izraelit miratoi projektligjin që ndalon Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) të veprojë në territorin izraelit, vitin e ardhshëm. Kjo organizatë është ofruesi kryesor i ndihmës humanitare në Rripin e Gazës dhe ligji rrezikon të ndalojë agjencinë të punojë edhe në territoret palestineze, pasi Izraeli kontrollon pikat kufitare.
Edhe përplasjet me Iranin duket se nuk kanë mbaruar. Teherani tha se do të “përdorë të gjitha mjetet e disponueshme” për t’iu përgjigjur sulmit të fundjavës së Izraelit, për të dhënë një përgjigje të caktuar dhe efikase ndaj regjimit sionist (Izraelit)”. Në frontin tjetër, Izraeli vazhdoi të sulmojë Libanin, duke përfshirë një sulm ajror herët në mëngjes në një lagje në portin jugor të Tirit që la shtatë të vdekur. Ushtria izraelite më vonë lëshoi një urdhër evakuimi për zona të mëdha të Tirit.
Klan News