Shtëpia e kryeministrit Hashim Thaçi është sulmuar mbrëmë nga së paku dy persona. Pikërisht në orën 23:30 minuta, sigurimi personal i kryeministrit ka vërejtur një person në tarracën e katit të dytë të shtëpisë duke u përpjekur që të futej në brendi të godinës. Në atë çast ka filluar shkëmbimi i breshërive të plumbave mes sigurimit të kryeministrit dhe sulmuesve.
Sulmuesit kanë arritur të largohen, por policia dyshon se njëri prej tyre me këtë rast është plagosur. Këto pamje janë filmuar në orët e para të ditës së sotshme, pikërisht në tarracën e shtëpisë së kryeministrit Thaçi, nga ku sulmuesi po përpiqej të futej brenda. Gjurmë gjaku vëreheshin gjithandej.
Leonard Kërquki: 50 metra nga këtu pikërisht në anën e djathë të kësaj rruge ndodhet shtëpia e kryeministrit të Kosovës zotit Hashim Thaçi. Policia e ka bllokuar këtë rrugë disa çaste pas sulmit që ndodhi ndaj shtëpisë së kryeministrit, mbrëmë rreth orës 23:30 minuta. Policia nuk ka ndaluar askënd dhe gjithashtu nuk ka të dyshuar për këtë sulm. Por vlen të përmendet se sulmi ka qenë i përgatitur mirë pasi që në momentin e shkëmbimit të zjarrit mes sigurimit personal të kryeministrit dhe sulmueseve së paku njëri sulmues ndodhej në katin e dytë të shtëpisë së kryeministrit, pikërisht në tarracën e shtëpisë së tij.”
Në momentin e sulmit, kryeministri Thaçi nuk ndodhej në shtëpi, aty ishin bashkëshortja dhe djali i tij të cilët kanë kaluar pa pasoja. Policia akoma nuk ka të arrestuar për këtë rast, ashtu sikurse nuk ka as të dyshuar. Zëdhënësi i SHPK-së Arbër Beka thotë se nuk dihet motivi i sulmit.
Arbër Beka: “Në këtë fazë të hetimeve është ende herët të flitet për motivet e këtij incidenti. Në këtë moment njësitë policore të krim-teknikës pastaj hetues të ndryshëm nga departamenti kundër krimit janë duke mbledhur dëshmi të mundshme të cilat do të mund të përdoren gjatë këtij rasti.”
Në një konferencë për media zëvendës kryeministri Hajredin Kuqi tha se ky sulm është tejkalim i kufijve të urrejtjes.
Hajredin Kuqi: “Kjo ngjarje është shumë serioze dhe dëshmon se ende ka të atillë të cilët nuk e duan shtetin tonë të ri, ndërtimin e një shoqërie të hapur, të lirë, moderne demokratike në të cilën sundon rendi dhe ligji. Mirëpo askush të mos ketë iluzion se ne do të nënshtrohemi përballë kërcënimeve dhe përpjekjeve të tilla kriminale.”
Sulmi ndaj shtëpisë së kryeministrit është dënuar edhe nga presidenti Fatmir Sejdiu. Në një komunikatë për media, presidenti tha, se ky akt nuk është thjesht një sulm ndaj shtëpisë së kryeministrit, por një sulm ndaj institucioneve të republikës.
Ai kërkoi nga organet e ndjekjes që sa më parë ti sjellin para drejtësisë aktorët e sulmit, po ashtu sulmi është dënuar edhe nga partitë politike. Në një komunikatë për media të AKK-së thuhet se akte të tilla dëmtojnë imazhin e mirë të shtetit./tvklan.al
Gazetar:Leonard Kërquki