Mungesë totale e plastikës në një supermarket në Amsterdam. Në kryeqytetin holandez është hapur reparti i parë ku nuk përdoret asnjë lloj ambalazhi prej plastike. Rreth 700 produktet janë ekspozuar në raftet e supermarketit Ekoplaza, të ambalazhuar me materiale të riciklueshme, si xham apo metal.
Ideja do të shtrihet brenda vitit 2018 në të gjithë rrjetin prej 74 supermarketesh të Holandës. Presidenti i Ekoplazës ka thënë se është një gur themeltar në përpjekjet për të përmirësuar të ardhmen e planetit, duke përdorur më pak plastikë, e cila ndot shumë ambientin dhe i duhen të paktën 500 vjet për t’u tretur.
Edhe Bashkimi Evropian ka ashpërsuar masat kundër përdorimit të plastikës. Së fundmi Unioni i ka kërkuar vendeve anëtare të respektojnë direktivën, sipas së cilës, plastika e përdorur të jetë e gjitha e riciklueshme. Edhe Britania e Madhe po aplikon masat për të reduktuar në mënyrë të ndjeshme përdorimin e këtij materiali.
Klan Plus