E ashtuquajtura superstrada e vdekjes nuk do të jetë më burim i përditshëm aksidentesh.
Shumë shpejt kjo rrugë tepër e rëndësishme që lidh veriun e vendit me kryeqytetin do të bëhet me katër korsi.
Rruga Fushë Krujë-Milot dhe zgjatimi i saj deri në Rrëshen do të ketë një pamje moderne.
Segmenti Fushë-Krujë-Milot, i konsideruar si mjaft i rrezikshëm pasi ka një numër rekord aksidentesh, është menduar t’i jepet një pamje që meriton.
Kështu ka deklaruar mbrëmë në emisionin Opinion Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi.
Sokol Olldashi: “Ky segmenti thoni ju është i ndarë në tre lote. Loti i parë është Milot-Skuraj, loti i dytë Skuraj-Rubik dhe loti i tretë është Rubik-Rrëshen. Ky financohet nga Banka Botërore dhe është i financuar me dy korsi. Në bashkëpunim me projektuesit dhe me mirëkuptimin e bankës ne kemi bërë optimizimin e projektit, gjë që do të thotë që me të përfunduar realizimin e kësaj ne do të fillojmë ndërtimin e dy korsive të tjera, pra për ta bërë të gjithë segmentin me katër korsi dhe ndërkohë i kemi dhënë vetes komoditetin që projektin ta kemi të optimizuar, pra të na lejojë që të shtojmë dy korsi pa pasur reperkusione”.
Blendi Fevziu: “Nga Miloti deri në doganë të Morinit…”.
Sokol Olldashi: “Ka dy segmente të vogla që janë në risk, por unë besoj prapë që do të arrihen afatet.”
Rruga e re jo vetëm që do të jetë me katër korsi, por do të ketë edhe trafikndarëse betoni.
Gjithashtu në projekt është menduar edhe për rrugët dytësore, të cilat janë rreth 1 mijë në këtë aks dhe që kanë qenë në jo pak raste burim aksidentesh.
Në emisionin “Opinion” Ministri i Transporteve dha edhe një herë garanci se autostrada Durrës-Kukës do të përfundojë brenda muajit Qershor.
Sokol Olldashi: “Segmentet nga Morini deri në Kukës janë 100% të sigurt që përfundojnë në afat. Segmenti Rrëshen-Kalimash përfundon. Dy lotet e para nga Miloti deri në Rubik është e sigurt që përfundojnë. Segmentet e vetme që thashë dhe kanë një risk, por që do të bëjmë të pamundurën për t’i mbyllur në afatin e duhur është ky 5 kilometërsh dhe segmenti Rubik-Rrëshen. Janë lidhur kontratat për dublimin e rrugës nga Miloti deri në Thumanë, si fillim dhe do të vazhdojmë gjatë muajve të parë të vitit nga Thumana drejt Tiranës”./tvklan.al
Gazetar: Edian Gjoni