Shqipëria pësoi një tjetër humbje në Ligën e Kombeve, kësaj here në fushën e Çekisë. Golat e Tomash Hori, njëri prej tyre që në minutën e tretë të takimit vendosën fitoren 2-0 të çekëve. Edhe kuqezinjtë patën mundësitë e tyre ku më i rrezikshimi ishte goditja e Asllanit në pjesën e dytë, por që u ndal nga portieri. Për trajnerin Sylvinho duhet akoma përmirësim.
“Pashë kundërshtarin se ishte i motivuar dhe mezi po priste pas asaj humbje të vitit të kaluar. Kanë luftuar shumë për topat në ajër dhe kanë luajtur me topa të gjatë. Ne duhet të përmirësohemi, të punojmë dhe të ecim përpara. Është një humbje që të dhemb, por pashë që festonin sikur kishin mundur Brazilin apo Argjentinën.”
Gabimet u pranuan edhe nga futbollistët. Ata thonë që ndalesa e Gjeorgjisë i mban ende në lojë.
Elseid Hysaj: Ky është edhe futbolli. Ne e kishim rastin për të shënuar, por gabuam dhe ata shënuan golin e dytë dhe aty na u prenë këmbët, e ulëm ritmin.
Nedim Bajrami: Pas 2 ditësh kemi edhe ndeshjen tjetër. Gjeorgjia humbi dhe jemi akoma në garë.
Kombëtarja ka 3 pikë pas 3 ndeshjeve. Shqipëria do të luajë të hënën ndaj Gjeorgjisë në Tbilisi, një tjetër sfidë që do të transmetohet nga Tv Klan.
Tv Klan