Në programin e Klan News, dedikuar shortit të kualifikueseve të Botërorit, trajneri Sylvinho i konsideroi të gjitha ndeshjet të vështira. Braziliani tha se për të realizuar objektivin e kualifikimit në finalet e kupës së botës, ndeshjet duhen konsideruar si finale.
“Për ne do të jetë finale çdo garë. Ne kemi objektiv të ecim përpara. Duhet të gabojmë sa më pak për të ecur përpara. Duhet të bëjmë më shumë pikë se të tjerët. Se si do e arrijmë këtë duhet të përballemi në çdo ndeshje, hap pas hapi. Kalendari do të jetë shumë i rëndësishëm. Nëse do të duam të shkojmë në Botëror, në çdo ndeshje do të duhet të shkojmë me gjithë energjinë e mundshme. Ne do ta nisim nga zero dhe me besim deri në fund”, tha trajneri Sylvinho.
E teksa trajneri pranoi shortin, Presidenti i Federatës, Armand Duka tha se: “Ishte grupi i vetëm që nuk doja. Pasi pashë skuadrat e para në grupe, ishe grupi që nuk doja nga të gjitha grupet. Nuk do të dojë një përballje me Anglinë, nga ekipet më të forta. Duhet të përgatitemi edhe kundër Anglisë. Serbia është një kundërshtar me problemet sensitive të veta, uroj që në këto kualifikuese të mendojmë të gjithë vetëm për sport. Sfida e Federatës Serbe është për ta organizuar sa më mirë, ndërsa e jona për ta fituar atë ndeshjen. Ndeshja me Serbinë do të jetë në Shtator, Tetor apo Nëntor. Të shikojmë kalendarin, për kundërshtarët e Marsit. Të luftojmë për një biletë në Botëror”.
Pas një edicioni të Nations League jo të mirë, të gjithë në Kombëtaren Shqiptare dhe pranë saj do të impenjohen për të marrë maksimumin nga kualifikueset e Botërorit.
Tv Klan