Bujar Nishani: “Ka mjaft persona me precedent të tilla, por me veprimtari kriminale në vendet evropiane, por që jetojnë në Shqipëri dhe strukturat e policisë e kanë të pamundur të realizojnë arrestimin e tyre për shkak të pamundësisë që të na jepet…nga ana e prokurorisë”.
Një konstatim i bërë publik një vit më parë nga Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, vazhdon të jetë një shqetësim real për ndërkombëtarët.
Nënsekretari i punëve të brendshme të Italisë, Mantovano, e ka ngritur këtë gjatë një takimi në Tiranë me Ministrin e Drejtësisë, Alibeaj.
Në bisedën me dyer të mbyllura Mantovano mësohet të ketë vënë theksin tek mungesa e vullnetit të prokurorisë dhe gjykatave për një bashkëpunim të ngushtë për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të 128 shqiptarëve që kanë kryer krime në Itali dhe që jetojnë lirisht në Shqipëri.
Sikur të paktën dhjetë prej tyre të ishin arrestuar do të ishte një arritje e madhe, është shprehur numri dy i Ministrisë së Brendshme në vendin fqinj, duke kërkuar nga akuza dhe gjyqësori shqiptar që të jenë bashkëpunues dhe të tregojnë vullnet në luftën kundër krimit të organizuar.
Dhe pse ky qëndrim nuk u bë publik në konferencën për shtyp, Mantovano deklaroi se krimi që vepron mes dy vendeve tona do të ketë vetëm një reagim, goditjen e tij.
Alfredo Mantovano: “Jam dëshmitar jo vetëm si përfaqësues i qeverisë italiane e punës që qeveria dhe shteti shqiptar kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë për të bllokuar trafikun e klandestinëve. Nuk duhet ngatërruar çështja e emigracionit të paligjshëm me trafikimin sepse janë dy koncepte krejt të ndryshme, megjithatë unë shoh një përpjekje dhe vendosmëri nga ana e qeverisë shqiptare në këtë drejtim.”
Enkelejd Alibeaj: “Diskutuam në lidhje me ekzekutimin e vendimeve të gjykatave italiane shtetasve shqiptarë që i kanë shpëtuar drejtësisë italiane duke garantuar të nderuarin për maksimumin e devotshmërisë dhe të zellit që shteti shqiptar, strukturat e tij, qoftë ato qeveritare, qoftë ato të pavarura do të ndërmarrin për të krijuar dhe për të dhënë jo vetëm imazhin e partnerit të denjë në këto marrëdhënie.”
Gjithashtu Mantovano tha se Shqipëria ka patur arritje të dukshme në luftën kundër trafikut të klandestinëve dhe drogës.
Ministri i Brendshëm italian, Alfredo Mantovano, dhe Ministri shqiptar i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, biseduan rreth marrëdhënieve mes dy vendeve tonë në fushën e bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani