Edhe pse zyrtarisht nuk është konfirmuar që Shqipëria të jetë prekur nga virusi A H1N1, shëndetësia shqiptare në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë ka hartuar projektin për marrjen e një kontingjenti vaksinash.
Gjatë një takimi në Ministren e Shëndetësisë, zv/drejtoresha e OBSH-së për Evropën u shpreh se numri i vaksinave të prodhuara si fillim nuk do të jetë i mjaftueshëm për të gjithë ndaj qeveria duhet të përcaktojë grupet që do të vaksinohen të parët.
Nata Menabde: “Ne po punojmë lidhur me prodhimin e vaksinës. Sigurisht që ajo nuk do të jetë e mjaftueshme për të gjithë personat në botë, por do të jemi në gjendje të përcaktojmë se cili grup do vaksinohet i pari. Sipas nesh te grupet më në risk hyjnë njerëzit që kanë probleme me frymëmarrjen, që kanë probleme kardiovaskulare, fëmijët, gratë shtatzëna apo obezët. Megjithatë populli duhet të besojë tek qeveria dhe Ministri i Shëndetësisë përsa i takon vendosjes së prioriteteve. Në të njëjtën kohë ne po shohim se si po ndryshon virusi dhe deri tani nuk kemi të bëjmë me një situatë shumë të dhunshme”.
Ndërkohë Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, u shpreh se tashmë janë përcaktuar grupet që do të vaksinohen të parët në vendin tonë.
Anila Godo: “Ishin të rëndësishëm punonjësit e atyre institucioneve që janë të domosdoshme për jetën siç janë punonjësit e bankave e punonjës të ndryshëm qeveritarë, por ndërkohë është shumë e rëndësishme të vaksinohen fëmijët shumë të vegjël, persona të cilët janë me sëmundjet kronike dhe sidomos sëmundje kronike respiratore, gratë shtatzëna”.
Përfaqësuesja e OBSH siguroi gjithashtu se Shqipërisë nuk do t’i mungojë mbështetja me medikamente dhe asistencë mjekësore, përgjatë kësaj situate./tvklan.al