Pavarësisht temperaturave të larta, Kryetari i parlamentit nuk është tunduar të lerë Tiranën për të pushuar, siç në fakt po bëjnë pjesa me madhë e politikanëve këtë fillim Gusht.
Siç ishte përfolur në disa media, Ilir Meta ka ftuar të drekojë në zemër të Bllokut, këtë të hënë, ish – Presidentin Rexhep Mejdani dhe vetëm disa minuta më vonë, tryezës së tyre iu është bashkuar ish – Deputeti socialist, Koço Kokëdhima, zyrat e bizneseve të të cilit ndodhen vetëm pak metra larg restorantit të përzgjedhur nga Meta.
Dreka ka zgjatur për afro 2 orë dhe i pari që është larguar nga restoranti ishte Kokëdhima, i vetmi që ka pranuar të komentojë mbi këtë takim të pazakontë, në një kohë që flitet kaq shumë për një krizë brenda koalicionit të majtë, e bërë e qartë në kohën kur negociohej miratimi i Reformës në Drejtësi.
Kokëdhima i kërkon gazetarëve që të mos e lidhin këtë takim Gushti me politikën, ndërsa pranon problemet në gjirin e aleancës Rama – Meta.
Një tjetër krizë, që është bërë e qartë ditët e fundit, është dhe ajo e marrëdhënies së Kokëdhimës me Kryeministrin Rama, që po reflektohet këto ditë dhe në mediat që drejtohen nga ish – Deputeti i Vlorës. Por për këtë Kokëdhima nuk pranon të komentojë.
As Meta dhe Mejdani nuk preferojnë të komentojnë mbi arsyet e këtij takimi, ndërsa njihet kontributi i ish – Presidentit në Partinë Socialiste, siç dhe njihet përplasja publike e tij me Edi Ramën, pasi mori postin e Kryeministrit.
Tv Klan