Avokati i Hashim Thaçit në çështjen në Gjykatën Speciale të Hagës, Dastid Pallaska, ka sqaruar në emisionin “Opinion” këtë të mërkurë se Prokuroria Speciale në aktakuzën e saj e sheh UÇK-në të gjithën si një strukturë kriminale
Dastid Pallaska: Së pari më duhet të sqaroj shkurtimisht se ato përshkrimet e pozitave që mbajnë ish-Presidenti Thaçi dhe të tjerët në këtë rast janë përshkrime të bazuara në aktakuzë. Përndryshe sa i përket aktakuzës edhe pse nuk dëshiroj që të lodh shikuesin me çështje teknike-juridike, për ta përmbledhur në thelb, prokuroria nuk pretendon se brenda UÇK-së ka ekzistuar një grup i vogël kriminal, apo një ndërmarrje e përbashkët kriminale, e cila nuk ka pasur qëllim luftën kundër okupatorit apo çlirimin e Kosovës, por ka pasur qëllim kryerjen e krimeve. Mirëpo sipas prokurorisë, atë e keni në paragrafin 35 të aktakuzës që është e publikuar, anëtarë dhe mjete të kësaj ndërmarrje të përbashkët kriminale kanë qenë të gjithë anëtarët e UÇK-së.
Blendi Fevziu: Sipas aktakuzës këta janë një grup kriminal brenda UÇK, por gjithë UÇK shihet si një strukturë kriminale?
Dastid Pallaska: Absolutisht!
Pallaska sqaroi se nuk ka asnjë akuzë personale ndaj Thaçit megjithatë, ai shtoi se ata akuzohen edhe për edhe për krime që nuk kanë pasur dijeni, nuk kanë dhënë pëlqim, por është dashur t’i parashikojnë se mund të ndodhnin.
Dastid Pallaska: Baza juridike e pretenduar e aktakuzës mbështetet në parimin ndërkombëtarisht kundërthënës të ndërmarrjes së përbashkët kriminale e që ku personat që kanë një plan kriminal lidhen dhe ngarkohen me përgjegjësi penale, pavarësisht pjesëmarrjes së tyre të drejtpërdrejtë ose jo. Nuk ka akuza për krime të kryera në mënyrë të drejtpërdrejtë nga klienti im posaçërisht… E gjithë aktakuza është e mbështetur në ndërmarrjen e përbashkët kriminale që i bie që edhe ata në një formë edhe më kundërthënëse të këtij koncepti, ajo është ndërmarrje e përbashkët kriminale kategoria 3 që do të thotë se janë përgjegjës edhe për krime që nuk kanë pasur dijeni, nuk kanë dhënë pëlqim, mirëpo janë dashur që t’i parashikojnë se mund të kryhen. Duhet të parashikonin se mund të ndodhnin.
Pallaska tha se krimet në aktakuzë bazohet në periudhën e luftës dhe të pasluftës./tvklan.al