Me 18 vjet burgim është dënuar nga Gjykata Themelore në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala. Gjykata e ka shpallur fajtor për 3 vepra penale, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje.
Trupi gjykues konstatoi se përtej dyshimeve të bazuara, Pjetër Shala është fajtor për pikat 1, 3 dhe 4 të akuzës. Në dënimin me burgim, të njëjtit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Shala u shpall i pafajshëm për pikën dy të akuzës.
“Në emër të popullit të Kosovës, në bazë të neneve 43, 44, ju shpall ju z. Shala fajtor për veprat penale, ndalim arbitrar, torturë si krim lufte, vrasje e paligjshme si krim lufte në bazë të nenit 14, si pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale. Ju shpall të pafajshëm për trajtim mizor”, tha Mappie Veldt-Foglia, kryetare e trupit gjykues.
Shala u shpall fajtor për ndalim arbitrar si krim lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje si krim lufte kundër një personi.
Tv Klan