Administrata Tramp akuzon USAID-in për shpërdorime të rënda të fondeve të grumbulluara nga taksapaguesit amerikanë. Kjo është edhe arsyeja që sipas sekretares për shtyp të kreut të Shtëpisë së Bardhë, aktiviteti i kësaj agjencie u pezullua nga departamenti për efiçencën qeveritare që drejtohet nga miliarderi Elon Musk. Caroline Leavitt zbuloi disa prej shpërdorimeve të kryera nga USAID nëpër botë.
“1.5 milionë dollarë për zhvillimin e diversitetit në vendet e punës në Serbi, 70 mijë për prodhimin e muzikës për personat që janë pjesë e skemave për diversitetin në Irlandë, 47 mijë për një opera për transgjinorët në Kolumbi, 32 mijë për një libër komik për transgjinorët në Peru. S’e di për ju, por si taksapaguese amerikane, nuk dua që dollarët e mi të shkojnë për këto broçkulla dhe e di që as amerikanët nuk duan. Me këtë detyrë është ngarkuar Musk nga presidenti Trump, për të shporrur këto mbeturina dhe abuzime nga qeveria jonë federale”, shprehet Caroline Leavitt.
Pas përplasjes së fundjavës, ku përfaqësuesit e departamentit të Musk-ut nuk u lejuan të hyjnë në ambientet e USAID-it në Uashington, Tramp ngarkoi sekretarin e shtetit Marko Rubio si drejtues të përkohshëm të agjencisë.
USAID u krijua në 1961-shin si një agjenci e pavarur qeveritare për të ndihmuar demokracitë në zhvillim dhe vendet e varfra, ndërsa rrjeti i saj është shtrirë në mbi 100 shtete.
Tv Klan