Janë rikthyer tensionet dhe debatet e ashpra mes mazhorancës dhe opozitës në sallën e Kuvendit. Grupi parlamentar socialist braktisi punimet e seancës plenare pasi kryeparlamentarja Topalli përmes votimit mbylli diskutimet që zgjatën disa orë, lidhur me kërkesat e tyre për përfshirjen në kalanderin e punimeve dhe programin 2 mujor të punës së kuvendit të dekreteve të presidentit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe për heqjen e imunitetit parlamentarë të ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu.

Valentina Leskaj: “Edhe në rastin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, edhe në rastin e rregullores së kuvendit është e vërtetë që merret pëlqimi, po kjo nuk do të thotë që është pëlqimi i kryetares dhe në të gjitha argumentet që u bënë edhe për vendimin e gjykatës kushtetuese ngatërrohet kryetarja e kuvendit me Kuvendin. Kur vijnë dekretet shkojnë te Komisioni i Ligjeve që nuk kanë vajtur akoma dhe është komisioni i ligjeve që e ndjek këtë procedurë. Problemet e brendshme, problemet që mund të keni me presidentin nuk mund të zgjidhen në kurriz të institucioneve kushtetuese, prandaj këto duhen futur në kalendar”.

Astrit Patozi: “Në rast se ju keni lexuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe keni dashur që ta shkelim ne si kuvend, sigurisht që keni gabuar dyfish, pra ju keni dashur që të shkelet kushtetuta, sepse vendimi, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i njëvleftshëm me një nen të kushtetutës. Nuk na emociononi me mocionet tuaja, fare dhe mocionin, mocionin që ju keni ndërmend të bëni në rast se do ta çoni deri në fund ne e konsiderojmë si një shantazh apo mjet presioni politik”.

Jozefina Topalli: “Ju zonjë më keni thanë gjatë kësaj periudhe, që unë kam blloku dekretet. Asnjë dekret s’ka të bllokum, as nuk ka pas të bllokumë. Janë te këshilli i legjislacionit, janë te këshilli i rregullores, janë te komisioni i ligjeve. Kushtetuta kërkon një pëlqim substancial midis Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë për zgjedhjen e gjyqtarit duke i atribuuar Kuvendit të Shqipërisë një kompetencë të vërtetë për të penguar emërimin e tyre. Gjykata Kushtetuese vlerëson se termi pëlqim nënkupton një lloj konsensusi midis këtyre organeve kushtetuese që përfshihen procesin e emërimit të gjyqtarëve të gjykatave”.

Skënder Gjinushi: “Këtu propozimi vjen nga presidenti i republikës. Është përgjegjësi e tij që të ketë bërë si të thuash të gjithë hulumtimet e nevojshme për kandidaturën, për seriozitetin, për pastërtinë e me radhë. Kurse fakti që ju po kërkoni në rrugë të tjera, kjo është shumë e qartë është mosbesim i pastër ndaj Topit”.

Ndërkaq pas largimit nga kuvendi, kryetarja e grupit parlamentarë socialist Valentina Leskaj, tha se qëndrimi arbitrarë i Topallit e përforcojë dhe më tej qëndrimin e PS-së për të kërkuar mocionin e shkarkimit të Topallit.

Valentina Leskaj: “Dua të bëj të qartë që kalendari dhe programi që janë shpërndarë janë për deri në datën 15 korrik. Do të thotë që deri në datën 15 korrik këto 2 çështje dhe këtu keni dhe kalendarin dhe programin që mund t’ju referoheni. Këto 2 çështje janë të pa planifikuara”.

Por nga ana tjetër ish-ministri Mediu si në të gjitha deklaratat e tij, ka ripërsëritur faktin se e konsideron veten pa imunitet, duke qenë i hapur për hetim.

Fatmir Mediu: “Opozita ka të drejtën e saj të çdolloj versioni, por të paktën t’i referohet fakteve. Unë kam dhënë dorëheqjen në pozicionin e ministrit të mbrojtjes për shkak të asaj që ndodhi në Gërdec, në koshiencën e gjykimit tim politik dhe moral. 40 ditë prokuroria nuk bëri asnjë veprim dhe nuk dëgjova ndonjëherë nga opozita që të ngrinte shqetësim pse prokuroria nuk bënte veprime dhe hetimi i Gërdecit nuk është vetëm ministri i hetimit. Gërdeci është e gjithë ngjarja me të gjithë problemet që ajo ka”.

Ndërkaq kundër kërkesës së socialistëve për mocionin e tretë për shkarkimin e Topallit, është shprehur Paskal Milo, i cili kërkoji që mocionin opozita duhet ta kërkonte për kryeministrin./tvklan.al