Bankomati i një banke të nivelit të dytë është tentuar të grabitet gjatë natës në Vorë.
“Persona të paidentifikuar kanë shfrytëzuar punimet në godinën ku gjendet një bankë e nivelit të dytë, për të grabitur lekët që gjendeshin në bankomat”.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit të së enjtes, ndërsa banka ndodhet shumë pranë Komisariatit të Vorës. Mësohet se pas rënies së alarmit kanë qenë rojet private që sinjalizuan policinë për rastin.
Burime nga policia bëjnë me dije se kanë qenë 4 persona, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të kryejnë grabitjen. Policia e Tiranës njoftoi zyrtarisht se autorët nuk kanë mundur të marrin paratë e bankomatit. Nga ana tjetër mësohet se në bankomatin e shkatërruar plotësisht gjendeshin vetëm 15 mijë lekë, por edhe ato nuk janë marrë.
Sakaq grupi hetimor që ka mbërritur në vendngjarje ka sekuestruar kamerat e sigurisë për të bërë të mundur identifikimin e autorëve. Vetëm pak ditë më parë, një bankomat i një banke të nivelit të dytë është tentuar të grabitet në Bulevardin Blu në Kamëz, ndërsa ende policia nuk ka mundur të identifikojë autorët.
Tv Klan