Segmenti rrugor Thumanë-Kashar sipas kryeministrit Edi Rama do të jetë i kalueshëm në datën 30 Qershor të këtij viti. Në një konferencë me gazetarët pas takimit që ka zhvilluar me kryebashkiakët e vendit në Shkodër, kryeministri Rama ka thënë se do të kemi gati një kantier total që do të hapet nga veriu në jug.  

Edi Rama: Puna për projektet fillon më para se projektet duken dhe faktikisht ne kemi gati një numër segmentesh që janë mbi dhe nën Thumanë-Kashar që besojmë që në 30 Qershor do të bëhet i kalueshëm dhe për të ju dhënë një shembull të thjeshtë, kini parasysh se projektet e infrastukturës marrin një kohë më të gjatë dhe në vende më të zhvilluara se ne. Kemi pasur nevojë për disa korrektime të natyrë juridike në kontratat. Janë bërë garat, është gjithçka gati dhe do të kemi një kantier total që do të hapet nga veriu në jug.

Segmenti i fundit që është në fazë projekti, është segmenti nga Shkodra që lidhet poshtë me të gjithë segmentet e tjera, Milot-Balldren, pastaj vjen Fieri dhe në fund lidhet me Vlorën, e gjithë kjo do të jetë një rrugë e re, do të ketë dy alternativa, me pagesë dhe pa pagesë. Hapja e Thumanë-Kasharit do të lehtësojë shumë këtë sezon. Pastaj do të jetë përfundimi i të gjithë segmentit. Është e vështirë për të kaluar, torturuese për të gjithë ata që e përshkojnë këtë segment. Jam optimist që kantieret do të jenë të hapura dhe presim projektin për të hapur kantierin që shkon deri në Muriqan. Kemi marrë dritën jeshile për financimin e hekurudhës deri në Han të Hotit.

Po bëjmë dhe studimin e rrugës që na lidh me Prishtinën duke kaluar nga Shkodra. Jemi në një Shqipëri tjetër përsa i përket gjithë kësaj zone. Ari më i pastër i minierës shqiptare janë malet, kjo do të kërkojë kohën e vet për një mijë e një arsye dhe për këtë arsye po punojmë që edhe infrastrukturën e maleve ta përgatisim, ndërkohë që në Shkodër do të bëjmë shumë punë. Kemi filluar disa projekte të reja. Kemi bërë gati financimet për të filluar me lagjen e Zdrales, për rikthimin në jetë të stadiumit. Shkodra do të jetë e shkëlqyer sërish.

/tvklan.al