Nëse deri dje mendonim se Facebooku është një mjet shumë i mirë për të shtuar njohjet apo një mjet i mirë për të komunikuar lirshëm, sot duhet të mendojmë ndryshe. Dallimin në këtë mes e kanë bërë disa agjentë të policisë së Tiranës, të cilët nëpërmjet përgjimit të komunikimit në Facebook dhe adresave të emal-it arritën të identifikojë një grup kriminal prej 4 personash, një prej tyre i shpallur në kërkim policor.
Tendenca e grupit të të rinjve ishte vjedhja e pasurisë. Mbajtja nën vëzhgim prej një muaji, mundësoi kapjen në kohë të tyre. Sipas zëdhënëses së policisë së Tiranës, Alma Katragjini dyshohet se për të realizuar më së miri vjedhjet, Romeo Rakipi dhe Flamur Matoshi, komunikonin me mesazhe dhe përmes adresave elektronike, Yahoo dhe Facebook.
Pas realizimit të vjedhjeve të automjeteve kryesisht të markës Benz, ata i dërgonin në qytetin e Durrësit me qëllim shitjen e tyre. Kapja e tyre u bë përgjatë orëve të vona të datës 18 janar 2010, në afërsi të stacionit të trenit në Tiranë. Ndërkohë që policia ka shpallur në kërkim një 26-vjeçar bashkëpunëtor në vjedhje./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani