Ish-nënkryetarja dhe ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli nuk ka kursyer as sulmet ndaj Lulzim Bashës, të cilin e akuzon si një ndër faktorët përse Kryeministri Edi Rama vijon të qëndrojë në pushtet.

Në një lidhje direkte për emisionin Opinion në Tv Klan, Topalli tregoi se kur ishte ende pjesë e Partisë Demokratike gjatë mandatit të parë qeverisës të Kryeministrit Rama, ishte habitur përse kreu i partisë, duke iu referuar Lulzim Bashës, nuk reagonte kur kishte filluar kultivimin e kanabisit.

“Unë jam kundërshtare politike me Edi Ramën. Ai është tërësisht i paaftë në krye të një qeverisje që i ka kushtuar kosto të madhe vendit. Por kosto vendit nuk i ka kushtuar vetëm keqqeverisja. Unë nuk mund të bëj sikur nuk e di që ka dhe një arsye tjetër që e mban Edi Ramën në pushtet. Unë çuditesha kur kryetari i partisë heshte kur filloi mbjellja e drrgës. Nuk kam qenë vetëm unë. Betejën e ka nisur z.Berisha”.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu nëse për krijimin e partisë së re është konsultuar me Sali Berishën, Jozefina Topalli e mohoi një gjë të tillë, por pranoi se 4 ditë më parë ka pasur një komunikim me ish-Kryeministrin.

Para 4 ditësh kontaktova me z.Berisha. Kjo është iniciativë e imja, e pakonsultuar me z.Berisha. Është një vendim që vjen pas një procesi, besoj se vendi ynë ka nevojë për ndryshim, politia ka nevojë për të larguar 3 kryetarët e korruptuar. Të largohen dhe fllon procesi politik brenda forcave të tyre”. /tvklan.al